Pas suksesit të madh që gëzoi premiera e shfaqjes “Bretkosa” dhe kërkesave të shumta për tu ri-shfaqur ajo, më 24 janar do të shfaqet sërish “Bretkosa” në Teatrin Kamertal të AAB-së, në ora 19:30.
Regjisorja e e kësaj drame psikologjike me elemente komike, Burbuqe Berisha, na njoftoi më në detaje rreth fabulës së shfaqjes respektive, ku mes tjerash theksoi:
“Është rrëfim për të gjithë njerëzit e ditëve të sotme, që jetojnë në kohën e keqkuptimeve dhe vetmisë, në kërkim të dashurisë e jetës kuptim plote. Teksti i shfaqjes pothuajse në mënyrë kronologjike përcakton kohën në të cilën jetojmë, sjell karaktere që nuk munden dot të përballen me presionin e kohës, realitetin e ri, devalvimit të vlerave dhe jetës në përgjithësi”, tha për Radio KFOR-in, regjisorja Burbuqe Berisha.
Dramaturge e kësaj shfaqjeje me tekst të autorit kroat, Dubravko Mihanović, është Seadet Beqiri, me asistent regjisor Ledri Vula dhe me kastë aktorësh: Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi.