Psikopedagogjia është një ndërthurje e dy degëve kryesore të studimit të Pedagogjisë dhe Psikologjisë, e cila u siguron studentëve mjetet e nevojshme për të marrë pjesë në faza të ndryshme dhe në të gjitha fushat e procesit të mësimdhënies dhe të mësim-nxënies, duke hartuar materialin mbështetës të nevojshëm për ta bërë më të lehtë këtë proces.
Për të mësuar më shumë rreth kësaj lëmie, Radio KFOR-i kontaktoi me drejtorin e “Qendrës Kosovare për Psikoterapi Pozitive”, Mr. Sci. Enver Çesko, i cili theksoi: “Tek ne në Kosovë nuk kemi ekspert të cilët kanë të specializuar këtë degë të psikologjisë pedagogjike, por kemi si nëndegë që merren me nxënës të cilët kanë vështirësi në nxënien e mësimit si dhe me ata të cilët kanë probleme të ndryshme gjatë procesit të edukimit në shkolla. Pra, ne kemi shumë psikolog të cilët kanë përfunduar studimet e tyre dhe vazhdojnë master në fushat e caktuara siç është “Pedagogjia Shkollore”, e cila ka të bëj me nxënës, por për një qasje më të detajuar dhe më të thuktë, gjithsesi që në Kosovë kemi nevojë për një degë të tillë.”
Synimi kryesor i psikologjisë pedagogjike është zhvillimi i aftësive akademike, personale dhe të punës, për t’i bërë më të lehta detyrat e psikologëve arsimorë. Këto aftësi u mundësojnë profesionistëve të njohin, informojnë dhe marrin pjesë në procesin arsimor dhe të zgjidhin konfliktet që mund të lindin gjatë zhvillimit të tij.