Për shkak të situatës së krijuar në vend nga pandemia me virusin ‘Covid 19’, procesi mësimor në shkollat e Kosovës ka vazhduar me mësime online. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hikmete Bajrami, ka njoftuar se “Provimi i Maturës Shtetërore 2020’, do të mbahet në javën e parë të muajit korrik. Ndërsa, për ditën/datën e saktë të testimit do të vendoset në ditët në vijim. Duke marrë parasysh situatën me pandeminë, provimi i maturës do të organizohet në atë mënyrë që të ketë numër sa më të vogël të maturantëve brenda një qendre të testimit dhe brenda klasave të testimit, në mënyrë që zbatohen të gjitha masat për mbrojtje dhe parandalim të ‘Covid 19’.
Testi do të ketë gjithsej 100 (pyetje, detyra), nga 25 pyetje për secilën nga katër lëndët e përfshira dhe do të zgjasë 150 minuta. Në test do përfshihen tri lëndë obliguese (gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë) dhe një lëndë zgjedhore (që përzgjidhet nga vet nxënësi nga mesi i lëndëve zgjedhore që do të ofrohen).
Më tej Ministrja, Bajrami, ka njoftuar se pas paraqitjes së provimit të maturës, të gjithë maturantët e paraqitur për provim do të informohen për qendrën dhe klasën e tyre të testimit, për mënyrën dhe rregullat e testimit si dhe për detaje të tjera.