Një ndër problemet më shqetësuese që na preokupojnë si shoqëri, padyshim që është edhe ndotja e ajrit, të cilës i ekspozohemi të gjithë.
Por, duket që Prishtinës do t’i ofrohet së shpejti një zgjidhje e këtij problemi, përmes promovimit të një kauze që do të realizohet nesër (22 gusht), nga ora 10:00-13:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
Kjo ngjarje mundësohet nga kompania e gjelbër “TE Pema”, e cila krijon zgjidhje të qëndrueshme për hapësirat ku jetojmë, e që nesër do të promovojë 5 produktet e para, të cilat do të vendosen në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Se cili është qëllimi i promovimit të këtyre produkteve, na tregon drejtori ekzekutiv i kompanisë “Te Pema”, Dion Deva:
“Qëllimi ynë është përmirësimi i cilësisë së ajrit, në hapësira të jashtme dhe të brendshme, duke dizajnuar produkte të përdorshme që përmbajnë gjelbërim, të cilat ndikojnë në cilësinë e ajrit dhe vetëdijesimin e popullatës rreth kësaj çështjeje”, është shprehur për Radio KFOR-in, z.Deva.
Ai poashtu na informoi rreth dobive që këto produkte sjellin për përmirësimin e kësaj gjendjeje në Prishtinë:
“Produktet “TE PEMA T” karakterizohen me eficiencë të lartë falë teknologjisë që e kanë, falë sistemit të riciklimit të të reshurave, ujit të cilin e përdorë për ujitje. Produkti ka sensorë të cilët e vlerësojnë se kur bimët kanë nevojë për ujitje dhe kur nuk ka dritë direkte të diellit që të mos dëmtohen nga uji”, u shpreh mes tjerash z. Deva.
Së shpejti , kjo kompani do të lansojë produktin tjetër “ TE PEMA TXL” me kapacitet më shumë se dyfishi i produktit “TE PEMA T”.