22 të rinj nga komunitete të ndryshme që jetojnë në Mitrovicë, do ta kenë mundësinë që të bëhen pjesë e ‘Programit për Zhvillim Dixhital’, në kuadër të së cilit po ofrohen trajnime të ndryshme nga organizata ‘Open Data Kosovo’. Ky program do të realizohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i një komuniteti të fortë në Mitrovicë”, i cili përkrahet nga ‘GCERF’ dhe implementohet nga ‘Community Building Mitrovica’, në partneritet me organizatat ‘Mundësia’ dhe ‘Open Data Kosovo’.
Koordinatorja e projekteve në Organizatën ‘Open Data Kosovo’, Paulina Behluli, në një përgjigje për Radio KFOR-in ka inkurajuar të rinjtë e Mitrovicës që të bëhen pjesë e këtij programi: “Në këtë program mund të aplikojnë të gjithë të rinjtë që ju takojnë grup moshave 16-25 vjeç dhe që vijnë nga komuna e Mitrovicës. Të rinjtë të të gjitha komuniteteve në Mitrovicë janë më se të inkurajuar që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e këtij programi, mirëpo duhet patjetër të jenë nga Mitrovica për arsye se komuna e Mitrovicës është komuna përfituese kryesore e projektit. Qëllimi i programit është që të trajnojë të rinjtë nga Mitrovica me aftësitë e nevojshme koduese dhe t’i përgatisë ata për tregun e punës duke zhvilluar edhe aftësitë e buta të tyre si: Si të shkruash një CV, etikat e punës, komunikimi etj”.
Afati për aplikim për këtë program është deri më 30 shtator 2020 dhe 22 pjesëmarrësit e këtij programi, do të ndahen në dy grupe të ndryshme me nga 11 pjesëmarrës. Të dy grupet pastaj do të fillojnë trajnimet në tetor të vitit 2020 dhe trajnimi do të zgjatë 10 ditë për secilin grup. Për arsye të gjendjes aktuale me shpërndarjen e virusit ‘CoViD-19, trajnimet do të mbahen online përmes platformës ‘Zoom’.