Profesori i Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në Universitetin e Prishtinës, Lul Raka, është votuar si ‘Evropiani i Vitit 2020’, çmim që ndahet çdo vit me rastin e Ditës së Evropës nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Profesor Rakës, çmimi iu nda nga udhëheqësja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, në një ceremoni që u transmetua në faqen zyrtare të BE-së në Kosovë. Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe të nominuarit e tjerë, përveç profesor Rakës, si: koordinatorja e 32 vullnetarëve që po ndihmojnë qytetarët në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, Valbona Mazreku, gazetari dhe aktivisti, Darko Dimitrijeviq si dhe drejtoresha e Klinikës së Sëmundjeve Infektive në QKUK, Dr. Lindita Ajazaj – Berisha.
Profesor Raka është shprehur se ndihet i nderuar nga ky çmim dhe shtoi: “Puna ime gjatë pandemisë ka qenë e vogël krahasuar me të nominuarit e tjerë, andaj do të doja që çmimin ta ndaj me të gjithë ju dhe me çdo qytetar që ka ndjekur këshillat tona për ta mbajtur nën kontroll ‘Covid – 19’”.
Ndërsa, udhëheqësja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha: “Për mendimin tim, të gjithë ju të nominuarit jeni fitues, sepse keni fituar zemrat tona”.
Mirënjohës për kontributin e profesor Rakës në kontrollimin e pandemisë ‘Covid – 19’ u shpreh edhe ministri i Integrimeve Evropiane të Kosovës, Blerim Reka, i cili tha: “Do të doja të falendëroja Zotërin Raka për përgjegjësinë, përkushtimin dhe guximin në luftën kundër pandemisë globale”.
Pjesëmarrës në ceremoninë për ndarjen e çmimeve, e cila këtë vit u mbajt online për shkak të pandemisë, ishin edhe fituesit e mëparshëm, si: Kampionja Olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, drejtor teatri, Jeton Neziraj dhe drejtori i kompanisë KIVO, Visar Ramajli.
Për të pestin vit me radhë, me rastin e Ditës së Evropës, Bashkimi Evropian në Kosovë ndan Çmimin ‘Evropiani i Vitit’ për një individ/institucion që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë gjatë vitit të kaluar. Këtë vit, fituesi u vendos përmes një votimi në llogarinë në Facebook të BE-së në Kosovë, nga qytetarët e Kosovës.