Një pjesë e madhe e pacientëve, të cilët kanë kaluar fazën fillestare të shërimit nga CoViD-19, po vazhdojnë që me javë dhe me muaj të tërë të përballen me simptoma të ndryshme si dhimbje gjoksi, kollë, plogështi, e të tjera. Sipas ekspertëve shëndetësor, këto janë vetëm disa nga pasojat afatgjate që CoViD-i po lë, posaçërisht tek pacientët që po e kalojnë virusin më me vështirësi, ndër të tjera edhe për shkak të sëmundjeve shoqëruese.
Për të kuptuar se cilat janë disa nga simptomat më të zakonta me të cilat po përballen pacientët që kanë kaluar CoViD-in, Radio KFOR-i ka kontaktuar pulmologun, Besim Morina, i cili tha: “Covid-19 në shumicën e rasteve, sidomos atyre të lehta dhe pa simptoma, nuk lë pasoja të rëndësishme në periudhën afatgjate. Mirëpo, në rastet kur Covid-19 është i përcjellur me gjendje të rëndë klinike, si me pneumoni apo me rënie të nivelit të oksigjenit në gjak, shpesh ndodhë që të kemi pasoja afatgjate. Çdo ditë e më shumë ne po ballafaqohemi me pacientë, të cilët pasi janë shëruar nga Covid-19, vazhdojnë të kenë simptoma të theksuara, si: frymëzënie, dhimbje gjoksi, kollë, plogështi, mpirje të pjesëve të trupit apo edhe marramendje. Kjo gjendje shpesh është sfiduese për mjekun pasi edhe trajtimi është i vështirë dhe me rezultate jo të kënaqshme. Në shumicën e rasteve ne përshkruajmë terapi simptomatike dhe mbështetëse. Po ashtu, te një grup i pacientëve që kanë kaluar një formë të rëndë të Covid-19, zhvillohen ndryshime të theksuara në mushkëri, të cilat e keqësojnë në mënyrë të konsiderueshme funksionin e mushkërive dhe të cilat shpesh fatkeqësisht janë ndryshime të pakthyeshme. Një ndër këto ndryshime përshkruhet edhe Fibroza e mushkërive, e cila nëse përfshinë një pjesë të madhe të mushkërive e keqëson marrjen e mjaftueshme të oksigjenit dhe kështu këtyre pacientëve iu nevojitet marrja e oksigjenit shtesë, të koncentruar përmes aparateve me rrymë apo bombolave. Me gjithë këtë, për shkak se kjo sëmundje ka më pak se një vit që është shfaqur, ne ende nuk e dimë saktësisht ndikimin e saj në shëndetin tonë në një periudhë më të gjatë, për shembull pas disa viteve.”
Në mënyrë që ta ruajmë vetën dhe të afërmit nga këto komplikime të mundshme, është e rëndësishme që t’i respektojmë rekomandimet e ekspertëve shëndetësor për mbrojtje nga CoViD-19, siç është bartja e maskës, mbajtja e distancës sociale dhe përkujdesja për higjienën personale.