Aleanca Franceze në Prishtinë prezanton edicionin e parë të ‘Natës së Bardhë’ në Prizren, një kremtim i përvitshëm i artit dhe i eksplorimit të lirë të imagjinatës nëpërmes muzikës, koncerteve dhe argëtimit. Kjo ngjarje do të fillojë me 14 shtator, nga ora 19:00, në sheshin e Prizrenit.
Tema e këtij edicioni të parë është “Qyteti i hapur”, ku do të organizohen ngjarje artistike të cilat e reflektojnë temën dhe qytetin, ku përmes programit do të përfshihen instalacione me dritë dhe intervenime artistike, performanca, pjesë muzikore dhe eksperimentale si edhe shfaqje të veprave të video-artit.
“Nata e Bardhë” organizohet nga Aleanca Franceze mes partneritetit të Komunës së Prizrenit dhe Komunës së Parisit, mbështetur nga Instituti Francez, Bashkimi Evropian, Ambasada Franceze dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
“Nuit Blanche” që vjen nga gjuha frënge, është një format i nisur nga qyteti i Parisit, dhe që po vjen për herë të parë në Kosovë.