Tanimë po kalojmë në ditët e fundit të vitit 2020, duke i lënë radhën vitit 2021 dhe duke shpresuar për më shumë mbarësi dhe dashuri për të gjithë. Si në çdo festë tjetër, pandemia e koronavirusit do të ndikojë edhe në natën e ndërrimit të motmoteve, ku shumë nga aktivitetet e parapara për 31 dhjetor dhe 1 janar janë anuluar, e shumë të tjera kanë kaluar në formatin online.
Për të parë se si do ta presin natën e ndërrimit të mot moteve, Radio KFOR-i ka kontaktuar të rinj të komuniteteve të ndryshme në Kosovë, si shqiptar, serb dhe rom, të cilët po ashtu përçuan mesazhet e tyre për të gjithë dëgjuesit e radios sonë:
– “Unë jam Besnik Shabiu dhe ky fundvit do të jetë më i zbehtë në aspektin e planifikimit të festimit. Megjithatë besoj që kjo do të jetë një mundësi për t’i bashkuar të gjitha familjet që së paku fundvitin ta presin së bashku. Nëse mund ta quajmë një pikë fati në gjithë këtë fatkeqësi që po ndodhë. I njëjti fat do të na përcjell edhe mua dhe familjen time.”
– “Unë jam Milena Maksimovic dhe këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit, unë do ta festoj Vitin e Ri në shtëpi me familjen time. Vitet e kaluara, zakonisht kam udhëtuar në vende të ndryshme me shoqëri, andaj kjo është edhe një mundësi e mirë që të qëndrojë me më të dashurit e mi për festa.”
– “Unë jam Besa Qallaki. Edhe këtë vit, festat e fundvitit do t’i pres me familje, në shtëpi, në mënyrë që të mos kemi kontakt me njerëz të tjerë dhe të rrezikohemi nga virusi Covid. Shumë dashni e tolerancë në vitin që po vjen.”
Shijoni çdo moment me më të dashurit tuaj këtë vit, duke shpresuar që viti që po vjen të shënojë edhe fundin e pandemisë ‘CoViD-19’!