Festat e fundvitit janë ngjarjet më të rëndësishme të vitit, duke bërë bashkë familjet dhe duke festuar për përmbylljen e vitit, me dëshirat dhe shpresat për një vit edhe më të mirë. Këtë vit për shkak të pandemisë, festojmë në rrethana tjera në përballje me COVID-19, duke respektuar masat anti-covid. Por për të sjellë shpirtin festiv në qytet edhe këtë vit sheshet kryesore të Prishtinës janë dekoruar nga Komuna e Prishtinës. Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me koordinatorin e aktiviteteve kulturore në ‘Komunën e Prishtinës’, Adrian Berisha, i cili tregoi se si e kanë menduar zhvillimin e aktiviteteve këtë vit dhe dekorimin e qytetit:
“Këtë vit për shkak të pandemisë nuk do të kemi aktivitete kulturore siç kemi pasur vitet e kaluara, prandaj kemi menduar për dekorime minimale për t’i dhënë dritë qytetit dhe për të ndikuar sado pak në shëndetin mendor të qytetarëve, me shpresën që shumë shpejtë do të bëhet mirë. Këtë vit nuk do të ketë shtëpiza në shesh të konceptit ‘Verë n’dimër’, nuk do të ketë aktivitete muzikore dhe këtë vit nuk do të lejohet pritja e vitit të ri në shesh për shkak të masave anti-covid.”
Ndër vendet me dekorimin më të bukur në Kosovë, plot ngjyra, ndriçim dhe drita, është edhe fshati Pjetërshan në Gjakovë, një fshat që çdo vit dekorohet për të sjellë një atmosferë festive për të gjithë njerëzit në prag të festave.