Platforma regjionale e industrisë së filmit, ‘PriForum’ këtë vit do të mbahet online, dhe do të nis sot, 17 korrik, derisa do të zgjasë deri më 19 korrik.
‘Çfarë po i bën koronavirusi industrisë së filmit?’ – kjo është tema e parë, e cila do të diskutohet në një panel me të ftuar, si: Danijel Hocevar, fitues çmimesh si producent, Jana Wolff si përfaqësuese e festivalit nga ‘Berlinale’ dhe ‘European Film Market’, Mergim Cahani, drejtor ekzekutiv në ‘Gjirafa’, Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Fatos Berisha, i cili përveç filmbërësit, është edhe drejtor artistik i ‘PriFest’-it. Po ashtu, sot do të mbahet edhe një webinar me Wendy Bernfeld.
Në ditën e dytë të ‘PriForum’ do të mbahet sesioni i pikturimit, ku do të prezantohen 12 projekte të ndryshme, të cilat do të vlerësohen nga juria, e cila do të përbëhet nga Linda Beath, Wendy Bernfeld, Danijel Hocevar. Aktivitetet e kësaj dite do të përmbyllen me një diskutim me producentin e filmit, Danijel Hocevar. ‘PriForum’ do të përmbyllet më 19 korrik, ditën e diel, me aktivitete të ndryshme po ashtu.
Drejtoresha e këtij Festivali, Vjosa Berisha, përmes Radio KFOR-it, u pati bërë thirrje qytetarëve nga të gjitha etnitë në Kosovë, që të marrin pjesë në këtë Festival: “I ftojmë të gjithë të interesuarit që të vijnë të shohin këta filma dhe të shijojnë Festivalin, sepse filmat janë atraktivë, nuk gjinden zakonisht në kinema, por janë filma që udhëtojnë nëpër festivale. Po ashtu ‘PriFEST’, programin kryesor e ka me filma të Ballkanit, ku sjellim filma nga Bosnja, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria”.
Në ndërkohë, një pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘PriFest’, e cila është e paraparë të mbahet në mënyrë fizike, është shtyrë për datat 25 deri më 30 gusht, për shkak të situatës së krijuar së fundmi nga rritja e numrit të rasteve pozitive me ‘Covid – 19’.