Edicioni i radhës i Festivalit PriFest, i cili do të filloj në mes të muajit korrik, saktësisht me datën 16 deri me 21 korrik, do të shpalos gjithsej 70 filma. Shfaqja e filmave do të bëhet në katër lokacione të ndryshme, në Teatrin Kombëtar, ku edhe do të jetë hapësira kryesore e festivalit, në Kinemanë ABC dhe Kino Armata si dhe në hapësirën tradicionale të festivalit në qiellin e hapur në sheshin Zahir Pajaziti. Në gjithsej 10 programe të ndryshme, nga të cilat pesë janë garuese dhe 5 jogaruese vijnë: 6 premiera botërore, 5 premiera ndërkombëtare, 1 premierë evropiane, 17 premiera regjionale dhe 34 të tjera premiera nga Kosova.
Drejtor Artistik i PriFest, Fatos Berisha, për mediat është shprehur shumë i kënaqur me numrin e aplikimeve në festival dhe kualitetin e filmave:
“Jam i kënaqur me numrin e aplikimeve, por edhe më shumë me kualitetin e filmave, sidomos në disa kategori garuese. Numri i premierave botërore dhe regjionale flet se PriFest me kalimin e kohës është shndërruar në festival të rëndësishëm ndërkombëtar në rajon”, ka thënë ai.
Biletat e festivalit për të përcjellë filmat do të jenë 3 Euro, ndërkohë që do të ofrohen edhe kartelat pako “All in One”, që për 15 Euro mund të përcillet i gjithë programi i festivalit, pra 70 filma. Edhe këtë vit si çdo vit tjetër festivali ofron edhe mundësi gratis për të moshuarit, për moshën mbi 65 vjeç dhe për studentët.
Për më shumë informata rreth programit, orareve të filmave dhe aktiviteteve, ju mund t’i vizitoni rrjetet sociale: instagram, facebook dhe twitter si dhe faqen zyrtare të PriFest www.prifest.org.