UNICEF-i në Kosovë në bashkëpunim me HANDIKOS në Prishtinë, po vazhdojnë të përkrahin fëmijët me nevoja të veçanta, kësaj radhe në qendër të Prishtinës dje më 17 maj, vendosën 120 karroca dhe çanta të cilat do të jenë aty deri me datën 25 maj 2020.
Me këtë rast Radio KFOR-i kontaktoi drejtorin e HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, i cili tregoi për qëllimin e këtij aktiviteti: “Vendosja e këtij instilacioni ka për qëllim që t’iu tregojmë se fëmijët por edhe të rriturit me aftësi të kufizuara, me një farë mënyre kanë qenë të izoluar apo të karantinuar pothuajse çdo herë, për arsye të mos pasjes së mundësisë së lëvizjes së lirë, mos pasjes së qasjes së transportit, hyrjeve nëpër objekte dhe institucione të shumta. Mesazhi ju përçohet të gjithëve që gjithmonë të kenë në konsideratë, në këtë rast, të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, në çfarëdo ligji që punohet, në çfarëdo çështje që ka të bëjë me të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, ngritjen e mirëqenies së tyre dhe që të trajtohen edhe ata barabartë me gjithë fëmijët dhe qytetarët e tjerë.”
Përkrahja e personave me aftësi të kufizuar është detyrë dhe obligim i të gjithëve!