Themeluesja dhe drejtoresha e “Astronomy Outreach of Kosovo”, Pranvera Hyseni, në sirtarin e sukseseve të saja ka shtuar edhe çmimin “Michael D. Reynolds”, që i është dhuruar nga Organizata Ndërkombëtare e Vëzhguesve Hënorë dhe Planetarë. Në një intervistë për Radio KFOR-in, znj Hyseni, thotë se çmimi i fituar e ka bërë të ndjehet e privilegjuar dhe të lumtur që po vlerësohet puna e saj: “Organizata Ndërkombëtare e Vëzhguesve Hënorë dhe Planetarë më ka nderuar me çmimin “Michael D. Reynolds”, në shenjë vlerësimi për punën dhe kontributin e dhënë̈ në popullarizimin e shkencës së astronomisë̈ në Kosovë dhe vende tjera të botës. Sigurisht, kjo më ka bë të ndjehem e privilegjuar për faktin që puna jonë tashmë po vlerësohet edhe nga organizata ndërkombëtare, të cilat vazhdimisht janë duke e mbështetur projektet tona edukativo-shkencore dhe po ndihmojnë në ndërtimin e observatorit të parë në Kosovë. Unë do të vazhdoj të prezantoj vendin tonë në shkencë, në mënyrë që të arrijmë mbështetje akoma më të fuqishme anembanë botës.”
“Astronomy Outreach of Kosovo” gjithashtu ka bërë të ditur se bashkë me çmimin për Pranvera Hysenin, Organizata Ndërkombëtare e Vëzhguesve Hënorë dhe Planetarë gjithashtu ka dhuruar një shumë të konsiderueshme financiare, për të mbështetur edhe ndërtimin e observatorit të parë në Kosovë.