Policia e Kosovës përmes Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Parandalim në kuadër të aktiviteteve të saj, vëmendje të posaçme po i kushton edhe aktiviteteve dhe projekteve që kanë për qëllim përmirësimin e sigurisë në shkolla, vetëdijesimin e nxënësve në parandalimin e dukurive të ndryshme negative dhe edukimin e tyre.
Rreth aktiviteteve edukative që ka organizuar Policia e Kosovës, Radio KFOR-i bisedoi me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha: “Edhe në kohë pandemie, Policia e Kosovës ka organizuar aktivitete të ndryshme edukative për fëmijë, ku janë mbajtur ligjërata nëpër shkolla të ndryshme, janë realizuar takime dhe fushata senzibilizuese me organizata dhe partnerë mbështetës të fushatave për parandalim të dukurive negative që atakojnë fëmijët apo nxënësit në përgjithësi. Aktivitetet tona përfshijnë ligjërata dhe takime me nxënës, mbi tema të ndryshme vetëdijesuese siç janë: parandalimi i dhunës mes bashkëmoshatarëve, parandalimi i pasojave nga përdorimi i substancave narkotike, ngritja e sigurisë në trafikun rrugorë, parandalimi i keqpërdorimit të teknologjisë informative dhe rrjeteve sociale të komunikimit, etj.”
Policia ka intensifikuar edhe patrullimet e saj nëpër lokacione, ku vlerësohet se mund të ndikoj në rritjen e sigurisë dhe ofrimin e mbështetjes aktive për një proces sa më efikas dhe të sigurt mësimor në vend.