Respektimi i masave anti-CoViD, po vazhdon që të jetë nën nivelet e kënaqshme nga ana e qytetarëve të Kosovës. Këtë e dëshmojnë edhe gjobat që janë shqiptuar nga Policia e Kosovës, për të gjithë ata që nuk kanë respektuar masat anti-CoVid. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka shpalosur për Radio KFOR-in statistikat e tiketave që janë shqiptuar për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, ata të cilët nuk kanë respektuar masat në fuqi: “Policia e Kosovës, të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, përfshirë angazhimet policore në zbatim të ligjit NR. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, ku në tërë territorin e Kosovës nga data 26.08.2020 deri më datën 17.02.2021, janë shqiptuar 134.257 fletëparaqitje (tiketa), për moszbatim të masave ndaj pandemisë Covid-19. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja, në ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe ruajtjen e shëndetit publik.”
Vetëm në 24 orët e fundit të ditës së djeshme, 22 shkurt, Policia e Kosovës ka njoftuar se në qytete të ndryshme të Kosovës ka shqiptuar 607 tiketa në bazë të ligjit Covid-1. Ndryshe, numri total i rasteve pozitive në vend është mbi 65 mijë raste nga mbi 280 mijë persona të dyshimtë me virusin SARS-CoV-2, kurse numri i rasteve aktive në tërë vendin është mbi 6.600 raste.