Zyrtarët e Stacionit Policor në Fushë Kosovë kanë mbajtur të mërkurën, më 4 mars, një ligjëratë vetëdijësuese për nxënës të shkollës Fillore “Vëllezërit Frashëri”, në fshatin Vragoli.
Komandanti i Stacionit Policor në Fushë Kosovë, Major Besart Shaqiri, ka bërë të ditur për Radio KFOR-in për temat për të cilat ata ju ligjërojnë nxënësve: “Disa nga temat për të cilat ligjërojmë në shkolla janë: vetëdijësimi për sigurinë në trafik, pasojat negative të përdorimit të substancave narkotike, vetëdijësimi për dhunën në familje, ligji për kontrollin e duhanit e të tjera.”
Në anën tjetër, mësimdhënësi i matematikës, njëherësh përgjegjës në Shkollën “Vëllezërit Frashëri” në Vragoli, Fisnik Sllamniku, falënderoi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës për iniciativa të tilla. Zyrtarët policor tutje theksuan se çdo vit akademik përgatisin një plan operativ me qëllim që nxënësve dhe mësimdhënësve t’iu ofrohet një ambient i sigurt shkollor.