Megjithëse në vitin 2019, 16-të persona më pak kanë humbur jetën në aksidente trafiku se sa në vitin paraprak, numri i aksidenteve fatale mbetet ende shqetësues. Pikërisht për këtë Radio KFOR-i kontaktoi zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i cili tregoi shkaqet kryesore që rrisin numrin e aksidenteve: “Pakujdesia, përqendrimi i pamjaftueshëm dhe tejkalimi i shpejtësisë, mbeten ndër shkaktarët e humbjes së jetëve njerëzore nëpër rrugët tona. Prandaj drejtuesit e automjeteve janë bartësit kryesor të përgjegjësive gjatë pjesëmarrjes në trafik dhe të njëjtit duhet të jenë mjaft të matur dhe vigjilent, sepse përveç rrezikimit të të tjerëve, jo rrallë edhe ata vet janë pjesë e statistikave fatale. Policia si autoritet i zbatimit të ligjit me njësitet e saj po punon me përkushtim përmes planifikimeve operacionale dhe fushatave të ndryshme për reduktimin në vazhdimësi të aksidenteve dhe njëkohësisht do të ndërmerr veprime ligjore ndaj kujtdo që shkel rregullat dhe cenon sigurinë nëpër rrugët tona”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Poashtu nga Policia e Kosovës u njoftua se, gjobat e marra në trafik, tash e tutje mund të paguhen aty për aty, pas nënshkrimit të marrëveshjes për vendosjen e aparateve për pagesë (POS-ve) në objektet dhe veturat policore, në mënyrë që qytetarët të paguajnë pagesat e gjobave për kundërvajtje edhe me kartela bankare.