Policia e Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në detyrat dhe kujdesin e vetëdijesimit dhe parandalimit të aksidenteve në trafik. Vetëm nga periudha janar-maj 2021, në Kosovë kanë ndodhur mbi 4000 aksidente trafiku, ku 42 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve. Në konferencën e Policisë së Kosovës, të mbajtur këtë javë për sigurinë në trafikun rrugor, është shpalosur plani i tyre për uljen e aksidenteve në trafik. Me këtë rast, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, theksoi se Policia e Kosovës është duke implementuar Urdhrin Operativ “Siguria në trafikun rrugor 2021”, qëllimi i të cilit është ndërmarrja e masave të duhura policore në drejtim të parandalimit, zvogëlimit të aksidenteve si dhe rritja e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, përfshirë ndërmarrjen e hapave konkret për vetëdijesim dhe sensibilizim të opinionit publik.
Në kuadër të këtij urdhri, Policia njoftoi se janë ndërmarrë aktivitete për identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve si: mosrespektim të shpejtësisë së kufizuar, tejkalime në vende të ndaluara, përdorimi i telefonit mobil gjatë ngasjes, rripi i sigurisë, mosrespektimi i dritës së kuqe, drejtimi nën ndikimin e alkoolit, drejtimi pa patentë shoferi dhe aspekte të tjera.
Meqenëse jemi në prag të sezonit veror kur pritet që të vijnë shumë persona që jetojnë jashtë Kosovës, në konferencën në fjalë u kërkua që të shtohen aktivitetet dhe prezenca policore, me qëllim të ofrimit të sigurisë rrugore.