Stina e dimrit cilësohet si një stinë më delikate sa i përket komunikacionit dhe numër më i madh i aksidenteve në trafik ndodhin për shkak të reshurave atmosferike dhe temperaturave të ulëta.
Policia e Kosovës sipas planifikimeve operacionale ka njësitë e saja në trafikun rrugor për mbarëvajtjen e trafikut dhe për sigurinë në trafik në përgjithësi. Me gjithë përgatitjet nga ana e Policisë dhe organeve të tjera mbikëqyrëse, njerëzit duhet të tregohen të kujdesshëm dhe vigjilent si pjesë e trafikut rrugor. Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, z. Baki Kelani, i cili kërkoi nga qytetarët kujdes maksimal dhe respektim të rregullave në trafik: “Tani kemi një numër më të shtuar të lëvizjeve në trafikun rrugor për shkak të ardhjes së njerëzve nga vende të ndryshme. Për tu ruajtur nga situata e të reshurave dhe mjegulla e mundshme që është prezentë, kërkohet nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar, të ju përmbahen kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike në mënyrë që të jenë më të sigurt gjatë ngasjes së automjeteve dhe që të kemi sa më pak aksidente në trafik. Andaj, apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që ti respektojnë dispozitat ligjore të trafikut rrugor sepse është në interes të tyre dhe të sigurisë rrugore.”
Kujdesi dhe respektimi i rregullave në trafik duhet të jetë prioritet derisa jeni pjesëmarrës në trafik jo vetëm në stinën e dimrit por përgjatë gjithë vitit. Gjithmonë respektoni shenjat, shpejtësinë e lejuar dhe rregullat e përgjithshme në vozitje.