Sezoni i dimrit është stina në të cilën aksidentet janë më të shpeshta, për shkak të kushteve meteorologjike por edhe për shkak të mungesës së kujdesit të pjesëmarrësve në trafik. Gjatë kësaj periudhe por edhe gjatë tërë vitit, nga policia kërkohet për kujdes maksimal dhe respektim të rregullave të trafikut.
Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili na njoftoi rreth situatës me aksidente dhe apeloi për kujdes të shtuar: “Planifikimet për menaxhimin dhe kontrollin në trafik me shfaqjen e pandemisë, janë aranzhuar dhe ka pasur fleksibilitet në planet operacionale në pajtim me situatën e krijuar. Vlen të theksohet se aksidentet në trafik në përgjithësi, përfshirë edhe ato me fatalitet në periudhën e vitit 2020 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, kanë shënuar rënie. Vetëm në vitin 2020 kanë ndodhur 67 aksidente trafiku me fatalitet.”
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, përveç detyrave për garantimin e sigurisë së përgjithshme, ndërmerr veprime dhe operacione të vazhdueshme edhe në menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor.
Policia e Kosovës po ashtu ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, për të pasur një siguri më të madhe në trafik përgjatë sezonit dimëror.