Planet për pushime dhe vizita gjatë kësaj vere kanë ndryshuar për shumicën prej nesh, duket se udhëtimet larg vendit kanë qenë të rralla, kurse në numër më të madh janë vizituar plazhet dhe destinacionet e afërta me vendit tonë.
Janë dy vende që këtë vit janë frekuentuar për pushime në masë të madhe, kështu tha për Radio KFOR-in, menaxherja e aranzhimeve në agjencinë Eurokoha, Vetiola Reçica: “Këtë sezon vendet më të frekuentuara për pushime kanë qenë Turqia dhe Shqipëria, në fakt kërkesa për pushime në bregdetin shqiptar ka qenë edhe më e theksuar se sa vitin e kaluar.”
Ndërsa pronari i kompanisë turistike Sharr Travel, z. Ruzhdi Kurtishaj, në një prononcim për Radio KFOR-in tregoi gjithashtu për lokacionet më të frekuentuara gjatë kësaj vere: “Destinacioni më i kërkuar këtë vit ka qenë Shqipëria, qysh me hapjen e kufirit në fillim të qershorit kanë filluar nisjet e para, ku është frekuentuar në masë më të madhe plazhi i Shëngjinit, në fillim të Korrikut ka filluar kërkesa për jugun e Shqipërisë ku dallohet Vlora si destinacioni më i frekuentuar, e gjithashtu në pjesën e dytë të këtij muaji ka pasur kërkesa edhe për udhëtime në bregdetin e Turqisë. Moshat më të reja kanë qenë më të interesuara për bregdetin e Jalës, duke marr parasysh edhe kampingun si formë pushimi. Intervalin kohor nga fundi i korrikut dhe fillimin e muajit gusht, mund ta përcaktojmë si periudhën kur kemi pasur fluksin dhe kërkesën më të madhe për pushime.”