Peshkataria siguron një burim jetik të ushqimit, punësimit, rekreacionit, tregtisë dhe mirëqenies ekonomike për njerëzit në të gjithë botën. Mirëpo, qëndrueshmëria e këtij burimi është shumë e rrezikuar nga peshkimi i paligjshëm, andaj data e sotme, 5 qershor, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare për Luftën kundër Peshkimit të Paligjshëm, të Pa raportuar dhe të Pa rregulluar”.
Ashtu sikursve gjithandej botës edhe në vendin tonë peshkimi paligjshëm është prezent, kështu ka treguar për Radio KFOR-in Kryetari i Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, Bashkim Krasniqi: “Sa i përket peshkimit ilegal tek ne në Kosovë, kemi raste madje të shumta ku përdoren mjete që janë të ndaluara për peshkim sportive si rrjetat detare, rrjetat rrethore , rrjetat hudhëse etj. Peshkimi ilegal në Kosovë thuajse 80% është nën kontrollë të rojeve të nivelit qendror fedetariv dhe rojeve lokalë që i kemi në të gjithë vendin, ku përfaqësojmë diku 17 shoqata në të gjtiha ujërat e Kosovës. Peshkim ilegal kemi sidomos gjatë orëve të natës në ‘Drinin e Bardhë’, në ‘Liqenin e Badovcit’, atij të ‘Radoniqit’, por edhe në ujëra të tjera në vend.”
Z. Krasniqi ka çmuar mbështjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin që ata kanë me Policinë e Kosovës dhe akterët e tjerë: “Sa i përket bashkëpunimit me Policinë e Kosovës ne si Federatë, e kemi një bashkëpunim shumë të mirë gjithashtu edhe me Inspektoratin e Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa sa i përket Policisë së Kosovës kemi mbështetjen dhe përkrahjen maksimale, ata na janë përgjigjur në çdo thirrje ku kemi hasur në vëshirësi.”
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Bujqësi dhe Ushqim, aktivitet e paligjshme, të pa raportuara dhe të parregulluara të peshkimit janë përgjegjëse për humbjen e 11 deri në 26 milion tonëve peshk çdo vit. Ndërsa në vendin tonë, siç na njoftoi Kryetari i ‘Federatës së Peshkatarëve të Kosovës’, Bashkim Krasniqi përgjatë muajve prill dhe maj, kemi pasur mbi 20 raste të peshkimit të palijghshëm si dhe janë konfiskuar rreth 12 mijë metra rrjetë detare.