Emisioni i pasdites “Macchiato Lounge”, në Radio KFOR, sot (12.03.19) u nderua me prezencën e musafirëve, kapitenen e Klubit Basketbollistik për Femra Prishtina dhe njëherit pesë herë fituese e titullit – Lojtarja më e mirë e vitit në Kosovë, Irma Konjusha si dhe trajnerin e KBF Prishtina, Fidan Shatri. Moderatori i Radio KFOR-it, Artan Syla, gjatë emisionit u fokusua kryesisht tek fitoret e Irmës e cila për dëgjuesit tha: “Gjithherë jam stërvitur dhe kam luftuar që të realizoj qëllimet e mia dhe nuk do të ndalem së punuari dhe tentuari që ta mbaj këtë titull sa më gjatë”. Basketbollistet e KB Prishtinës kanë kaluar në finale të Kupës së Kosovës, por synimet e tyre janë edhe më të larta. Trajneri Shatri, gjatë bisedës tha: “Kur kemi filluar, kemi pasur synim se ku dëshirojmë të arrijmë. Super kupën e kemi fituar, e tash presim ta fitojmë edhe kampionatin si dhe synojmë arenën ndërkombëtare.” Gjatë bisedës sikurse Irma ashtu edhe Fidani, treguan se për të pasur sukses duhet punë, përkushtim dhe disiplinë.