Në vitin 1993, në Orldano të Floridës, do të formohej një grup i përbërë nga pesë djem që do të mbeten në historinë e industrisë së muzikës botërore. “Backstreet Boys” është grupi i djemve, që për një kohë shumë të shkurtër, rrëmbeu zemrat e miliona fansave në mbarë botën. Historia e këtij grupi është e veçantë për shumë arsye, e ndër to edhe fakti se anëtarët e grupit nuk kanë dashur të njihen si grupet e tjera muzikore të djemve, ata më shumë preferonin idenë e një grupi polifonik.
“Backstreet Boys” u formua me nismën e sipërmarrësit Lou Pearlman, i cili në tentim për të përcjellë sukseset e grupit “New Kids on the Block”, vendosi të krijoi grupin e tij. Pasi bënë audicione me qindra pjesëmarrës, Z. Pearlman vendosi që 5 djem të panjohur deri atëherë, të formonin grupin “Backstreet Boys”, grup ky që përbëhej nga AJ McLean, Howie Dorough, Nick Carter, Kevin Richardson dhe Brian Littrell.
Performanca e parë e “Backstreet Boys” u realizua në ‘SeaWorld’ të Orlandos, ndërsa hiti i tyre i parë që u solli famë të madhe, ishte kenga “Quit Playing Games“, me këtë këngë ata u renditën në pozitën e dytë të top listës amerikane ‘Billboard’.
Viti 1997 nuk ishte vit i mirë për grupin, të gjitha aktivitetet muzikore u pezulluan, pasi anëtari i grupit Littrell, u sëmurë. Pas rikuperimit shëndetësor të Littrell-it, “Backstreet Boys” rikthehen në korrjen e suksesit aty ku e kishin lënë. “I Want It That way” është kënga rikthyese e grupit dhe njëherazi kënga më e suksesshme e cila zuri vendin e parë në më shumë se 25 vende të botës. Ky sukses nxiti turneun që u titullua ”Millenium Tour”, me 115 koncerte brenda 84 qyteteve.
Përgjatë viteve “Backstreet Boys”, janë nominuar në 8 kategori të çmimeve “Grammy Awards”, ku vetëm në vitin 2000 u nominua për 4 çmime. Krijimtaria e tyre u njoh edhe nga ‘American Music Awards’, ku bendi pranoi dy nga këto çmime, 5 çmime “Billboard”, 2 çmime “VMA” dhe një “Juno Award”. Grupi lansoi edhe albumin “Black and Blue”, që mbetet ndër debutimet më të mëdha në histori të muzikës, me 6 milion shitje.
Në vitin 2005, Backstreet Boys befasojnë me publikimin e albumit “Never Gone”, që debutoi në vendin e 3-të në Amerikë, duke shitur mbi 100 milion kopje. Një vit më vonë anëtari, Kevin Richards vendosi të tërhiqet nga grupi, ndërsa tashmë grupi prej 4 djemve “Backstreet Boys”, nuk janë ndalur së sjelluri këngë e albume. Së fundmi “Backstreet Boys” u rikthyen me këngën “God, Your Mama and Me”, të cilën e realizuan në bashkëpunim me Florida Georgia Line.