Me moton “E bukura fillon me ne”, ditë më parë në Prishtinë, u mbajtë një sfilatë shumë më e këndshme se sfilatat e rëndomta, meqenëse protagonistët e kësaj ngjarjeje ishin personat që ofrojnë shumë dashuri, pavarësisht aftësive të kufizuara që kanë.
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë, Elvana Shala, ishte autore e kësaj ngjarjeje të veçantë, e cila në një prononcim për Radio KFOR-in, ndau emocionet e saja në lidhje me mbarëvatjen e saj:
“Këtë ngjarje e jetësuam, me qëllim të inkuadrimit të personave me aftësi të kufizuara, që edhe ata të trajtohen në mënyrë të barabartë nga shoqëria jonë. Kjo ngjarje ka pasur vëmendje të madhe dhe në të kanë defliuar 35 modele, femra dhe meshkuj, veshjet e të cilëve janë dizajnuar nga 10 kreatorët tanë më të njohur”, theksoi për Radio KFOR-in, Ambasadorja Shala, duke shtuar se përmes organizimit të aktiviteteve të tilla, do të mund të ngritet vetëdija e qytetarëve, që personat me nevoja të veçanta, të jenë pjesë e barabartë e integrimit në shoqërinë tonë.