Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, do të realizoj një kurs të ri në gjuhën shqipe dhe serbe, si pjesë e projektit të financuar nga BE “Forcimi i qëndrueshmërisë së gazetarëve të tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës”.
Në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, menaxherja e projektit, znj. Arita Suhodolli, ofroi detaje më të hollësishme në lidhje me këtë aktivitet shumetnik: “Përmes këtij aktiviteti, BIRN synon t’i rrisë kapacitetet e gazetarëve profesionistë dhe të promovojë diversitetin kulturor, duke angazhuar njëzet (20) gazetarë shqiptarë ose studentë shqiptarë të gazetarisë, në kurset e gjuhës serbe, për një periudhë prej gjashtë muajsh. Kjo jo vetëm që do të ndihmojë profesionistët e medias që të jenë më të gatshëm të raportojnë për tema në veri të Kosovës dhe zonat tjera me shumicë serbe, por gjithashtu do të bëjë të mundur që gazetarë të etnive të ndryshme të mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit, duke përmirësuar shkëmbimin kulturor midis dy grupeve dhe duke i hapur rrugë bashkëpunimit më të mirë në raportim.”
Ky aktivitet do të zbatohet në bashkëpunim me partnerin e projektit TV Mreza, i cili gjithashtu do t’u sigurojë njëzet (20) gazetarëve serbë mundësinë për të mësuar shqip, në mënyrë që të kenë qasje në burimet, në gjuhën shqipe dhe objektiv i rëndësishëm i këtij veprimi, është promovimi i të drejtave të njeriut dhe ekipeve ndëretnike hulumtuese.