Revista më e veçantë dhe më e lexuar në Kosovë, “For You” edhe përgjatë muajit tetor, ofron tema të larmishme dhe interesante për lexuesit e saj.
“Pse leximi do të jetë gjithmonë pasioni im?”, – kjo është tema e cila është trajtuar në shkrimin editorial, në këtë numër të ‘Revistës 4U’, stafi i së cilës ashtu sikurse muajve të tjerë, sjell për lexuesit e saj këshilla, suksese, histori, trendët e fundit të shumë fushave si dhe mendimet e shumë lexuesve përmes rubrikave të veçuara.
Menaxherja e Revistës “For You”, Leonora Shabanaj Nikshiq, për Radio KFOR ka treguar se në rubrikën “Shkolla e Muajit”, lexuesit do të kenë mundësi që të lexojnë për shkollën SHFMU Model “Ismail Qemali”, në Mitrovicë. Ndërsa, në rubrikën “Pyetësori”, lexuesit do të mësojnë se cila është gjëja më bezdisëse në lidhje me pandeminë në shkollë, për disa nga bashkëmoshatarët e tyre. Më pas, znj. Shabanaj Nikshiq, i ftoi lexuesit që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë artikujve: Policia e Kosovës: Nga kadet në polic!; Ndotja kimike – Rrezik për të gjithë ne si dhe Tenisi na lidh me njëri-tjetrin! – Ku të rinjtë nga Beogradi, Prishtina, Peja, Podgorica, trajnohen së bashku për të njëjtin qëllim.
Në këtë revistë, nuk do të mungojnë as rubrikat e zakonshme argëtuese si: “Moda”, ku do të mund të lexoni për trendët më të reja për prerjet e flokëve. Në këndin sportiv mund të lexoni një historik të shkurtër të “Formula E”. Kurse në rubrikën “Hi-Tech”, do të prezantohen dritat më të mira unazore në vitin 2021 për Tiktok, Youtube dhe Vlogs.
Menaxherja e Revistës “For You”, Shabanaj-Nikshiq gjithashtu theksoi se edhe në këtë numër të tetorit, të gjithë lexuesit do të gjejnë edhe shumë materiale të tjera tejet interesante për t’i lexuar. Njëherit, ajo i porositi lexuesit që të vazhdojnë t’i respektojnë masat kundër COVID-19, për të mbrojtur veten dhe të tjerët!