Pandemia ‘CoViD-19’, për momentin është sfida më e madhe për pjesën më të madhe të botës.
Edhe në Kosovë ky virus është i përhapur në shkallë të lartë dhe për të kuptuar gjendjen aktuale me këtë virus, Radio KFOR-i bisedoi me pulmologun në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, Dr. Besim Morina: “Ditët e fundit ka pasur një përmirësim në gjendjen epidemiologjike, në kuptimin që numri i rasteve të reja është ulur dhe bashkë me to është ulur edhe ngarkesa në sistemin shëndetësor apo numri i hospitalizimeve. Ende po vazhdojmë të kemi probleme me rastet e rënda dhe rastet e komplikuara. Po flasim për raste që tashmë e kanë tejkaluar infeksionin me Covid-19, mirëpo janë raste që janë duke u trajtuar për gjendje Post-Covid. Përmirësimi në gjendjen epidemiologjike nuk përkthehet me ulje të numrit të vdekjeve sepse numri i vdekjeve vazhdon të jetë i lartë.”
Dr. Morina u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe atyre që e kanë tejkaluar infeksionin, që të vazhdojnë të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë masat anti-covid.