Organizata Joqeveritare ‘Community Building Mitrovia’, ka organizuar për herë të parë kampin veror për të rinj nga Mitrovica, duke përfshirë nacionalitete të ndryshme në një organizim veror, në formën e kampit që është mbajtur për 3 ditë, në Prevallë. Organizimi i kampit ka përfunduar me sukses të plotë, duke miqësuar këta të rinj të cilët po ashtu mësuan për fusha të ndryshme.
Me këtë rast, Radio KFOR-i, zhvilloi një intervistë me koordinatoren e projektit në organizatën ‘Community Building Mitrovica’, Nerimane Ferizi, e cila u shpreh e kënaqur me përfundimin e projektit dhe solli detaje rreth aktiviteteve të këtij kampi:
“Në këtë kamp kanë marr pjesë nxënësit e shkollës së edukimit qytetar ‘Civic Education School’ në Mitrovicë, të cilët për 3 ditë sa ka zgjatur kampi, kanë mësuar rreth komunikimit, kulturave të ndryshme, janë takuar me komunitete të ndryshme, nga komuniteti serb dhe nga të gjitha shkollat e mesme nga Mitrovica. Nxënësit kanë kaluar shumë mirë, të cilët po ashtu kanë zhvilluar edhe lojëra edukative. Qëllimi kryesor i këtij kampi ishte që këta nxënës të socializohen dhe të shoqërohen me njëri-tjetrin”.
Për fund, Ferizi inkurajoi të rinjtë të marrin pjesë sa më shumë në aktivitete multietnike, sepse këto aktivitete iu mundësojnë nxënësve të njohin njëri-tjetrin dhe të mësojnë për kultura të ndryshme.
Pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësi që të takojnë edhe ushtarë të e KFOR-it, të cilët ishin pjesë e një aktiviteti të këtij kampi, duke iu shpjeguar për rolin e ushtrisë, në ruajtjen e paqes dhe tolerancës.
Thyerja e stereotipeve, ndërtimi i besimit dhe krijimi i miqësive ndëretnike karakterizoi këtë kamp rinor.