Pas një jave me aktivitete të shumta, përmbyllet me sukses festivali i artit në Mitrovicë, ‘Green Festival’. Përgjatë shtatë ditëve të festivalit, u organizuan aktivitete të ndryshme kulturore të cilat ishin pjesë e edicionit të 10-të të festivalit, të cilat shënuan edhe vitin jubilar të tij. Këtë vit, u trajtua tema e pabarazisë me theks të veçantë në pabarazinë urbane, gjinore, sociale dhe atë në arsim. Menaxherja e marketingut të këtij festivali, Arta Gashi, në një prononcim për Radio KFOR-in, tha: “Aktivitetet të cilat e shënuan këtë vit jubilar të festivalit, kanë qenë gjithëpërfshirëse, me orientim në luftimin e pabarazisë. Janë realizuar me suksese ‘Green Talks’, fjalime për çështjen e pabarazisë nga njohës të këtyre çështjeve. ‘Green School’ ka ofruar trajnime dhe punëtori, me qëllim të zhvillimit të mësimit joformal dhe aftësive të buta tek të rinjtë, ndërsa ‘Green Music’, i ka shtuar atraktivitet këtij edicioni, më tepër sesa zakonisht, meqenëse janë realizuar performanca që përcjellin kauza të veçanta. Pjesë e rëndësishme e festivalit, ishin edhe gjetjet nga hulumtimi, të dhëna për gjendjen sociale, në arsim, ato gjinore e urbane në qytetin e Mitrovicës, kryesisht pas ndikimit të pandemisë.”
Pavarësisht organizimit online të të gjitha aktiviteteve, mënyrë kjo e jashtëzakonshme e organizimit të festivalit, organizatorët u shprehën shumë të kënaqur me inter-aktivitetin e njerëzve në rrjetet sociale të festivalit dhe ndikimin që tema e festivalit dhe aktivitetet e organizuara, kanë pasur në masë.