Sot (03.02.20) do të nisë edicioni i shtatë i Shkollës Dimërore të BE-së, organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, Universiteti i Prishtinës dhe Shoqata e të Diplomuarve të Skemës së Profesionistëve.
Ky edicion do të zgjasë deri më 6 shkurt 2020, ndërsa temat kyçe të këtij edicioni do të jenë mbrojtja e mjedisit dhe sfidat kryesore me të cilat përballet Kosova në këtë fushë. Kurset e Shkollës Dimërore Evropiane 2020 do të mbahen në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, përkatësisht në Departamentin e Shkencave Politike, ndërsa pjesëmarrësve në fund do t’u ndahen edhe certifikata. Një nga pjesëmarreset në këtë edicion të Shkollës Dimërore të BE-së është edhe Sherife Shabani, studente në Nivelin Master për Mësimdhënie të Biologjisë në Fakultetin e Edukimit, e cila për Radio KFOR-in tha: “Unë kam studiuar Ekologji dhe Mbrojtje të Mjedisit, po ashtu jam anëtare në OJQ mjedisore “Let’s Do It Kosova”, andaj pres që të përfitoj njohje të reja në lidhje me temën që kjo shkollë po trajton këtë vit, e të cilat lidhen me profesionin tim në të ardhmen si ekologe, e po ashtu edhe me aktivitetin tim në sektorin e shoqërisë civile. Shpresoj që me këtë dije do të kontribuojmë në përmirësimin e aspekteve relevante mjedisore në vendin tonë.”
Shkolla dimërore organizohet në kuadër të Skemës së Profesionistëve të Rinj, projekt ky i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli Britanik.