Të lexosh një libër apo të shikosh një film? Kjo është një prej dilemave që është theksuar akoma më shumë pas zhvillimeve të vazhdueshme teknologjike.
Librat i lënë vend imagjinatës, mund t’i marrësh me vete kudo si dhe i krijojnë hapësirë lexuesit që t’i kuptojnë më mirë karakteret – këto janë disa prej arsyeve që adhuruesit e librave i përmendin kur rangojnë librin më lartë se filmin.
Por, ndryshe mendojnë adhuruesit e filmave, sipas të cilëve: librat janë shumë të gjatë, nuk kanë efekte vizuele si dhe nuk e kanë mundësinë e socializimit me të tjerët siç ndodh gjatë filmit.
Radio KFOR-i ka kontaktuar shkrimtaren e re, njëherësh administratore e Grupit “Maniakë të leximit” në rrjetin social Facebook, Shkurta Januzin, e cila përmend disa arsye pse është më mirë të lexojmë libra sesa të shikojmë filma.
“Sipas meje gjithmonë është më mirë të lexosh një libër sesa ta shikosh një film. Arsyeja kryesore është se përderisa filmi t’i servon të gjitha të gatshme, pamjet, karakteret, madje edhe ngjyrën e zërit, nga ana tjetër, kur lexon libër, krejt kjo mbetet me vendos vetë, na ndihmon me zhvillu imagjinatën në rend të parë, si dhe ndihmon ta pasurojmë fjalorin shumë më shumë”.
Fare në fund, Shkurta ka një porosi për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it, qofshi adhurues të librit apo filmit:
“Unë mendoj që gjithmonë duhet të bëni atë që ju pëlqen më tepër. Por gjithmonë këshilla ime është që të tentoni të lexoni sa më shumë, se përfitimet janë shumë më të mëdha”.
Duke lexuar libra sa më shumë, arrijmë ta pasurojmë mendjen dhe imagjinatën tonë për të ardhmen.