Nga hulumtimet e shumta, kemi kuptuar se vendi ynë ka pozitë të favorshme gjeografike për investim në panele solare, meqë përdorimi i kësaj teknologjie është i mirë në shumë aspekte e sidomos në mbrojtjen e ambientit ku jetojmë.
Fillimisht panelet solare u aplikuan në biznese dhe ndërtime të mëdha, por me kalimin e kohës po gjejnë aplikim edhe në shtëpitë tona. Në lidhje me përdorimin e paneleve solare në vendin tonë, Radio KFOR-i bisedoi me partnerin menaxhues në kompaninë ‘Elen’, z. Avni Syla:“Heqja e doganës në panele solare, e bëri relativisht të lehtë aplikimin e sistemeve të para solare, sidomos tek fermerët dhe bizneset prodhuese. Vitet e fundit interesimi për investim në sisteme solare fotovoltiake është shtuar, për shkak të disa faktorëve: shtimi i kërkesave për energji elektrike në nivel të përgjithshëm, droja nga rritjet e çmimit të energjisë dhe gatishmëria e organizatave të ndryshme të mbështesin investitorët përmes granteve stimuluese. Leverdia më e madhe e aplikimit të sistemeve solare është në kulmet e objekteve komerciale (prodhuese dhe tregtare) dhe gjithashtu kulmeve të institucioneve ekzistuese.”