Derisa nuk ka ndonjë vaksinë konkrete për të luftuar kërcënimin e vazhdueshëm të pandemisë globale COVID-19, shtete të ndryshme të botës kanë vënë masa të detyruara të sigurisë, të cilat ndihmojnë në parandalimin e këtij virusi. Një ndër masat kryesore është përdorimi i maskës.
Një veprim të tillë e kanë përkrahur edhe dëgjuesit e Radio KFOR-it, të cilët thonë se edhe tek ne në Kosovë duhet ta vendosim maskën posa të dalim nga shtëpia:
-“Përshëndetje unë jam Sead Jakupi, profesor në gjimnazin ‘Hajdar Dushi’, në Gjakovë. Sa i përket përdorimit të maskës unë i kisha porositur të gjithë që të vendosin maskën, sepse me këtë veprim ne e mbrojmë vetën, rrethin dhe më të dashurit tanë.”
-“Quhem Violeta Gashi. Më vjen mirë që është bërë tashmë e detyruar që të vendosim maskën. Askush nuk e do infektimin apo vdekjen, por nga moskujdesi mund t’ i marr të dyja. Prandaj, mbani maskë!”
-Unë jam Burar Surdulli. Tash po i shohim rastet e vdekjeve që veç po shtohen dita ditës, prandaj duhet të bëjmë diçka sa nuk është vonë. Ju kisha lutur të gjithëve që t’i mbani maskat dhe të qëndroni larg njëri-tjetrit!
Askush nuk duhet të marrë të drejtën të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike . Prandaj, përmes valëve të Radio KFOR-it gjithmonë bëhet apel për vendosjen e makës, mbajtjen e distancës fizike për së paku 2 metra dhe për aplikimin e masave të nevojshme higjienike.