Shëndeti mendor, informimi profesional, prindërimi i duhur dhe ngritja e vetëdijesimit, janë objektivat që ka gërshetuar Qendra e Edukimit Prindëror përmes projektit “Parenting Program Kosova”.
Për të kuptuar më shumë për ketë qendër, e cila është e para e këtij lloji në Kosovë, Radio KFOR-i zhvilloi intervistë me themeluesen e qendrës, njëherit edhe psikologe e specializuar në psikologjinë sociale dhe psikoterapi, Dafina Prokshi: “Prindërimi është një rrugëtim i bukur. Edhe pse prindërit rrisin fëmijët e tyre në mënyra të ndryshme, dëshira e të gjithë prindërve është që t’i rrisin ata të jenë të ndërgjegjshëm dhe të dashur. ‘Pareting Program Kosova’ është një projekt për të ndihmuar në rrugëtimin e suksesshëm të prindërimit, duke përfshirë ekspertët e psikologjisë dhe edukimit. Në qendrën tonë prindërit do të gjejnë: Programin për prindër të rinj – me fokus te nënat e reja, Programi psiko-edukativ për prindërit aktual dhe Programi psiko-edukativ për prindërit me fëmijë me nevoja të veçanta. Për secilën nga të përmendurat ne do të ofrojmë strategji të bazuara në hulumtime shkencore për të rritur fëmijët në mënyrën e duhur.”
Qendra e Prindërimit është hapur nga data 22 mars, e këtij viti.