Fëmijët e Kosovës, po i bashkohen botës në një kauzë për mbrojtjen e ambientit, përmes aktivitetit “Ecja e Fëmijëve për Mjedisin”, të cilët do e ngrisin zërin e tyre sikurse në 1.325 vendet e 98 shteteve në botë. Është grupi ‘Respect Our Rights’ (ROR), që së bashku me Asamblenë Komunale të Fëmijëve në Prishtinë, për herë të parë organizojnë marshimin për mbrojtjen e ambientit dhe ngritjen e zërit karshi ngrohjes globale dhe rreziqeve të tjera. Kjo ecje po mbështetet edhe nga organizata ‘Save the Children’, ku përgjegjësi për komunikim në këtë organizatë, Veton Kryeziu për Radio KFOR-in, lidhur me këtë aktivitet të fëmijëve na tha:
“Rëndësia e kësaj ecjeje është shumë e madhe pasiqë tani bota po përballet me ndryshimet klimatike dhe në kontekstin e Kosovës, neve na duhet më shumë vetëdijësim në mbrojtjen e ambientit dhe t’i kushtohet vëmendje më e madhe nga Qeveria. Rëndësia e këtyre aktiviteteve është shumë e madhe, sidomos në Kosovë ku flitet për ndërtime të Termocentraleve në një kohë kur qytetarët vuajnë nga ajri i ndotur, që vërtetohet me faktin që në shumicën e kohës ne krahasohemi me shtete si Kina në ranglistën për ajër të ndotur. Si organizatë ‘Save the Children’, ne i mbështesim fuqishëm fëmijët që të luftojnë për një të ardhme më të mirë për ta.”
“Ecja e Fëmijëve për Mjedisin” është aktiviteti i cili mbahet sot në Prishtinë (15 mars 2019) duke filluar nga ora 13:10 deri ne oren 13:40.