Nga 22 deri më 24 tetor, Prishtina do të jetë nikoqire e Festivalit Shëtitës “Mov(i)e Activism Film Festival”, organizuar nga Kino “ARMATA”, Qendra “Termokiss” dhe Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”.
Radio KFOR-i ka kontaktuar menaxheren për Komunikim në Fondacionin “Shtatëmbëdhjetë”, Sihana Klisurica, e cila ka bërë të ditur se ky do të jetë edicioni i parë i këtij Festivali.
“Gjatë tri ditëve do të shfaqen katër dokumentarë, të cilët vijnë nga margjinat dhe trajtojnë temat, si puna pa pagesë, aktivizmi artistik, rezistenca kulturore dhe mbrojtja e ambientit. Ky Festival e ka bazën në Berlin, por është Festival Shëtitës dhe organizohet edhe në qytete të tjera të Evropës. Organizohet tërësisht në baza vullnetare dhe në asnjë formë nuk përfitohet prej tij”, tha Klisurica për Radio KFOR-in.
Ajo ka bërë të ditur se Festivali do të përmbyllet me një performancë të Grupit “Tetris” në natën e fundit të Festivalit.
Në kuadër të këtij Festivali, nesër (22 tetor) duke filluar nga ora 19:00, në Kino “ARMATA” do të shfaqet filmi “Call me Intern” nga Nathalie Berger, të mërkurën (23 tetor), në hapësirat e Fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” do të shfaqet filmi “TIMBO” nga Pieman Zekavat, ndërsa të enjten (24 tetor) do të shfaqet filmi “Left on Pearl” nga Susan Rivo, në hapësirat e Qendrës Termokiss.