Qyteti i Gjakovës do të jetë nikoqir i ndeshjes së parë në ‘Streetball’, ku do të mbahen garat në këtë sport, me 25 gusht nga ora 12:00.
Gara një ditore do të përfshijë 12 ekipe pjesëmarrëse, ndërkaq dy ekipet finaliste do të shpërblehen me medalje.
Për këtë ngjarje Radio KFOR-i kontaktoi organizatorin e kësaj ndeshje, Artan Muhaxhiri, i cili tregoi për këtë aktivitet sportive, duke treguar për interesin e madh të publikut për këtë aktivitet:
“Ky është organizimi i parë i këtij lloji në Gjakovë, marr parasysh karakterin dhe ambientin ku zhvillohet gara. ‘Metalik Club’ e ka vënë në dispozicion hapësirën e saj dhe në një ambient tipik veror, afër pishinës, do të jetë e organizuar gara. Një ndihmesë të madhe teknike na ka dhënë edhe Klubi Basketbollistik ‘Vëllaznimi’. Mund të them se interesimi për pjesëmarrje është i jashtëzakonshëm”.
Organizatorët e këtij aktiviteti sportiv kanë paraparë argëtim nëpërmes muzikës dhe shumë surpriza të tjera për pjesëmarrësit.