1.8 milionë drunj do të mbillen në tërë territorin e Kosovës, përgjatë 10 viteve të ardhshme, në kuadër të fushatës “T’i japim vendit ngjyra”, organizuar nga organizata mjedisore “Let’s Do It Kosova”, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës.
Drejtori Ekzekutiv i ‘Let’s Do It Kosova’, Luan Hasanaj, për Radio KFOR-in bëri të ditur se fushata zyrtarisht do të lansohet më 24 nëntor, 2020 dhe tregoi se cili është qëllimi i organizimit të saj: “Kjo është një fushatë që asnjëherë më parë nuk ka ndodhur në vendin tonë. Është një fushatë, e cila është 10 vjeçare, pra do të zgjasë deri më 2030-ën, ku së bashku me shumë qytetarë të Kosovës, me shumë grupe vullnetare dhe institucione do të jemi gjithandej vendit duke provuar që të arrijmë misionin tonë. Mjedisi dhe sporti janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën, andaj i kemi bashkuar forcat me Komitetin Olimpik, si dy organizata që angazhohen për të mirën e përbashkët që këtë fushatë ta realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk mendoj se ka njeri në Kosovë që nuk i pengon mungesa e gjelbërimit nëpër qytetet tona, ashtu siç mendoj se nuk ka rrugë në Kosovë e cila nuk ka nevojë të gjelbërohet. Ky rrugëtim nuk është i lehtë, por jemi të bindur se do t’ia dalim dhe në fund të kësaj, do ta ndërrojmë imazhin e vendit”.
Po ashtu, “Let’s Do It Kosova” dhe Komiteti Olimpik i Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me Ministrinë e Infrastrukturës për mbjelljen e drunjve skaj rrugëve, rrugë që janë në përgjegjësi të kësaj Ministrie.