Në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor, si në në Prishtinë, Beograd, Tiranë, Shkup, Podgoricë dhe Sarajevë, do të mbillen pemë, në kuadër të Iniciativës Rajonale ‘Pema e Miqësisë’, e cila ka nisur nga Fondi Evropian për Ballkanin (EFB).
Përmes një njoftimi për media, Drejtoresha Ekzekutive e “EFB-së”, Aleksandra Tomaniq (Aleksandra Tomanić), ka treguar për qëllimin e këtij projekti: “Kjo ngjarje ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve të rajonit të Ballkanit, në lidhje me pasojat e veprimeve të tyre individuale në ndotjen e mjedisit.”
Ndërsa për mesazhin e këtij projekti, Menaxherja e Programit, Katarina Tadiq (Katarina Tadić) njoftoi: “Rrethanat e vazhdueshme të lidhura me pandeminë na kanë parandaluar që të përfshijmë qytetarë në këtë aktivitet, siç ishte planifikuar fillimisht, por mesazhi kryesor mbetet rëndësia e vendimeve të çdo individi, siç është zgjedhja e një mjeti transporti të ndërgjegjshëm për mjedisin, për të ndihmuar veten dhe të tjerët.”
Në Prishtinë, nesër (31 tetor), nga ora 11:00, do të mbjellën 60 pemë në lokacione të ndryshme të qytetit nga aktivistët e komunitetit “truAktiv”.