Qendra Kosovare për Studime Gjinore organizon panel diskutimi me temën “Leja prindërore dhe barazia gjinore në Kosovë”, e cila mbahet sot (23.10.18) duke filluar nga ora 16:00, në NANA fashion, food and more, në Prishtinë. Ky panel organizohet në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore” që implementohet nga Demokracia për zhvillim, ndërsa financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze. Për të mësuar më shumë rreth këtij takimi, Radio KFOR-i kontaktoi Drejtoreshën Ekzekutive të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli:
“Qëllimi është që të diskutojmë për ligjin e punës që ka dalë në diskutim dhe aty të ketë pushim edhe për baballarët, një muaj me pagesë. Ky është qëllimi që të vetëdijësojmë dhe të kenë rol edhe baballarët në rritjen e fëmijëve, sepse duke i rritur së bashku fëmijët tanë, do të kemi një shoqëri më të shëndoshë dhe do të kemi barazi gjinore.”
Fjala hyrëse dhe moderimi i panel diskutimit do të bëhet nga Luljeta Demolli, kurse penalistët të cilët do të marrin pjesë në këtë diskutim, janë: Kryetarja në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, përfaqëques nga Kuvendi i Kosovës, koordinatorja e projektit, Besa Baftiu, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Iliriana Banjska dhe ekspertja për çështje gjinore, Demokraci për Zhvillim, Ajete Kërqeli.