Ndryshe nga vitet e shkuara, qershori i vitit 2020 nuk do të gumëzhijë nga ‘glamuri’ i mbrëmjeve të maturës e semimaturës. Kjo, për shkak të masave që janë ndërmarrë në gjithë botën, për të parandaluar përhapjen e pandemisë së COVID-19. Kryetari i ‘Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, përmes frekuencave të Radio KFOR-it, ka theksuar se mbajtja e organizimeve të tilla do të ishte e rrezikshme për shkak të mundësisë se përhapjes së korona virusit: “Ne si ‘Këshill i Prindërve’ dhe si prindër, kërkojmë që të mos mbahet asnjë organizim që mbahet zakonisht për maturë dhe semimaturë për shkak të pandemisë. Duke marr parasysh edhe valën e pandemisë, nuk ka kushte që të mbahen organizime si mbrëmjet e maturës dhe të semimaturës.”
Megjithëse qershori i këtij viti, jo vetëm për mbrëmjet e maturës, por ka ndryshuar botën për shumëçka, mos harroni se asnjëherë nuk është vonë për të festuar. Një kremtim të suksesit me bashkëmoshatarët tuaj, mund ta bëni edhe në një ‘ditë më të mirë’, për të cilën urojmë të na vije sa më shpejt.