Pandemia e shkaktuar nga CoViD-19 ka vënë në alarm botën, jo vetëm në gjetjen sa më të shpejtë të kurës, por gjithashtu edhe në studimet e shumta mbi pasojat dhe efektet afatgjate që ka pandemia. E një fushë në të cilën po punohet vazhdimisht , është edhe psikologjia, me theks të veçantë ajo e më të vegjëlve tanë, për të studiuar se cilat janë efektet psikologjike tek fëmijët nga pandemia e CoViD-19.
Specialistja e Psikologjisë Klinike, Donika Mexhuani Islami, për Radio KFOR-in tregon ndikimin që ka pandemia, me gjithë masat që janë ndërmarr, në psikologjinë e fëmijëve: “Fëmijët i përjetojnë të gjitha ndryshimet në familje dhë shoqëri, ashtu sikurse edhe familjarët. Masat kufizuese të imponuara për parandalimin e shpërndarjes së CoViD-19, kanë afektuar jo vetëm botën e tyre psikologjike, por edhe botën psiko-sociale. Psikologjia e fëmijëve mund të afektohet, në rrethanat e Covid 19, me krijimin e ndjenjës së frikës, pasigurisë dhe ankthit për mirëqenien shëndetësore të tyre. Mbyllja e shkollave, mungesa e lojërave jashtë shtëpisë, rutina e gjumit dhe te aktiviteteve në këto kushte, mund të çrregullojnë ritmin e zakonshëm të jetës së fëmijëve dhe potencialisht mund të promovojnë iritim, bezdi dhe monotoni.”
Ekspertët socialë, vazhdimisht janë duke u bërë thirrje prindërve që gjatë kohës së masave të ndërmarra me qëllim të frenimit të përhapjes së koronavirusit, të jenë të përkushtuar ndaj fëmijëve të tyre. Që fëmija juaj të mos ndjejë pasojat psikologjike të pandemisë, qëndroni vazhdimisht të buzëqeshur në prani të tyre, krijoni rutina të përbashkëta ditore, mësoni dhe luani së bashku me fëmijët tuaj.