Rrjeti i OJQ-ve “AVONET” dhe Ansambli i këngëve dhe valleve ”Kastriotët” organizojnë “Panairin e Veshjeve dhe Ushqimeve Tradicionale”, që do të mbahet sot (2 gusht), nga ora 16:00, në restorant “Bifurkacioni”.
Kësaj ngjarjeje, përveç qytetarëve që jetojnë në Kosovë, më së shumti i gëzohen mërgimtarët tanë, të cilët në këtë kohë janë në pushime, në vendlindje.
Këtë e pohon edhe Kenan Gashi, drejtor ekzekutiv në ‘Avonet’, i cili në një prononcim për Radio KFOR-in, theksoi:
“Në kuadër të këtij panairi do të prezantohen ushqime tradicionale dhe do të zhvillohen aktivitete kulturore, si këngë dhe valle, të përcjellura me shumë tinguj nga instrumentet tona. Çka e veçon këtë aktivitet, është pjesëmarrja e madhe e bashkë atdhetarëve tanë, të cilët argëtohen pa masë në këtë ngjarje”,tha Gashi, duke shtuar se për realizimin e këtij panairi janë mbështetur nga Komuna e Ferizajt, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, në kuadër të Ditëve të Diasporës, Ferizaj 2018.
Në këtë panair marrin pjesë përfaqësuesit e institucioneve qendrore, lokale dhe komunave të rajonit.