Pagjumësia apo insomnia është një çrregullim i gjumit. Pagjumësia kronike ose afatgjatë e bën të vështirë përmbushjen e detyrave rutinë si, shkuarjen në punë, në shkollë dhe përkujdesjen për veten dhe të tjerët.
Fatmirësisht me përkujdesje dhe mjekim, ky problem mund të zvogëlohet apo edhe të shërohet komplet. Për të ditur se cilat janë veprimet që duhet ndërmerren nëse kemi probleme me pagjumësinë, Radio KFOR-i kontaktoi psikologen, Ibelinda Halili, e cila shpengoi: “Rutina ditore është shumë me rëndësi, duhet të merremi me aktivitet fizik, mirëpo jo para gjumit. Nuk duhet të marrim ushqime që janë kalorike para gjumit, mirëpo edhe një gjë duhet ditur se nuk duhet të lexojmë përmes ekraneve të telefonit, të tabletit ose kompjuterit, sepse sipas hulumtimeve të fundit, një ndër shkaktarët e pagjumësisë është edhe drita e pajisjeve teknologjike. Një ndër stimuluesit më të mirë të gjumit është leximi i një libri dhe pirja e çajit – preferohet çaji kamomil.”
Ndryshimi i zakoneve mund të jetë i vështirë, por duhet të provojmë këshillat e ekspertëve për të rregulluar gjumin, pasi që pagjumësia mund të çojë ose të kontribuojë në zhvillimin e problemeve të tjera shëndetësore, të tilla si depresioni, sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru.