Me konkurrencën e femrave nesër (13.10.21), pritet të fillojë Superkupa nga Liga Unike, bashkëpunim i Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit. Në këtë gjysmëfinale, me datën 13 tetor, do të përballen Prishtina-Partizani nga ora 16:00 dhe Penza-Flamurtari nga ora 19:00. Ndërsa, me datën 14 tetor, do të zhvillohet finalja nga ora 19:00. Në këto ndeshje, vëzhguese do të jetë edhe ish-basketbollistja dhe njëherit fituesja e shumë trofeve në basketboll, Vlora Braha, e cila në një intervistë për Radio KFOR-in, tregoi për pjesëmarrjen e saj në këtë garë duke shprehur entuziazmin e saj por edhe përgjegjësinë që bart ajo: “Pjesëmarrja ime si ish-basketbolliste në Superkupë, Liga Unike, por kësaj radhe në cilësinë e vëzhgueses, është edhe nder por edhe përgjegjësi e madhe, sepse kjo është hera e parë që po e bëjë këtë punë. Megjithatë, besoj se do ia dal mbarë! Pres që ndeshjet të jenë mjaft interesante dhe të shohim basketboll cilësor, e fituesi ka pak rëndësi.”
Ky do të jetë edhe edicioni i parë i Superkupë, organizuar nga liga unike. Pas, garave në konkurrencën e femrave me 16 dhe 17 tetor, do të zhvillohet edhe Superkupa e meshkujve, në Shkodër.