Të shtunën, më 12 dhjetor, Qendra ‘Termokiss’ do të organizojë një punëtori për tupan e çifteli, gjatë së cilës Ermira Mustafa dhe Hava Bekteshi do të flasin për përvojat e tyre si gra, në këtë industri.
Organizatorja e komunitetit në ‘Termokiss’, Fjolla Brisku, për Radio KFOR-in ka treguar se punëtoria do të shoqërohet edhe nga një performancë: “T’shtunën, me datën 12 dhjetor, në Zoom në ora 19:00, Ermira Mustafa dhe Hava Bekteshi, kanë me mbajtë punëtori për tupan dhe çifteli, ku do t’flasin për këto instrumente, por edhe për eksperiencat e tyre si gra në këtë industri. Pas punëtorisë, Hava do të performojë pjesë t’ndryshme artistike me instrumentin ma t’vjetër të Ballkanit, çiftelinë.”
Zonja Brisku gjithashtu ka bërë të ditur se kjo punëtori do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin social “Facebook”, ndërsa të interesuarit për të qenë pjesë e kësaj punëtorie, një gjë të tillë mund ta bëjnë përmes vegëzës: https://us02web.zoom.us/j/89279174968