Më datë 31 gusht, në Prishtinë do të organizohet për herë të parë mini-maratona – ‘Vrapojmë për Dije’, e cila ka karakter humanitarë për të ndihmuar fëmijët e komuniteteve për shkollimin e tyre.
Këtë mini-maratonë humanitare po e organizon Organizata Joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasve”, ku zyrtari për edukim, Fisnik Bajrami, për Radio KFOR-in, tha:
“Qëllimi i kësaj mini-maratone është që të mbledhim fonde të cilat do të orientohen për edukim. Mjetet do të shkojnë vetëm për qendra mësimore, pasi aty zhvillohet një proces shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me nxënësit e komuniteteve dhe nga ky fond disa mjete do të shkojnë edhe për shpenzimet e tutorëve të cilët japin kontribut të madh për nxënësit e këtyre qendrave mësimore”.
Bajrami, na infomoi që mini-maratona do të fillojë nga ora 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 12:00, ku pjesëmarrësit do të përshkojnë rrugën nga sheshi “Zahir Pajaziti”, deri tek Shkolla e Mesme e Lartë e Mjekësisë “Ali Sokoli” dhe anasjelltas.
Çmimi për një numër të pjesëmarrjes kushton 5 Euro, ndërsa pikat e shitjes mund t’i gjeni në ‘Albi Mall’ dhe në sheshin “Nënë Tereza”.
OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasve” funksionon aktualisht me 19 qendra, në të gjithë Kosovën, ku shumica nga ato janë qendra arsimore, ku nxënësit e komuniteteve vijojnë mësimin parashkollor.