Situata e krijuar nga pandemia ‘CoViD-19’, ka bërë që edhe edicioni i dytë i garës më të madhe të ecjes dhe vrapimit, në shenjë të solidarizimit në luftën kundër kancerit të gjirit në Kosovë, “Race For the Cure”, të organizohet në mënyrë digjitale, nga data 25 deri më 27 shtator.
Kjo garë në Kosovë organizohet nga Shoqata e të prekurve me kancer të gjirit “Renesanca” dhe me këtë rast Radio KFOR realizoi një intervistë me drejtoreshën e kësaj Shoqate, Violeta Pirana, e cila tregoi më shumë për organizimin e sivjetmë: “Ky është event, i cili tradicionalisht organizohet në të dielën e fundit të muajit shtator në tërë Evropën, në shenjë të kremtimit të mbijetesës së personave me kancer të gjirit, të cilët vishen me bluza pink, kurse të tjerët që solidarizohen, qofshin familjarë apo miq, vishen me bluza të bardha dhe mund të marrin pjesë të gjithë, pa dallim moshe. Kjo garë zakonisht mbahet në të njëjtën ditë në tërë Evropën, por këtë vit, për shkak të pandemisë, është planifikuar të mbahet në tri data: 25, 26 dhe 27 shtator.”
Znj. Pirana, gjithashtu, pati një mesazh për të gjithë qytetarët, pa dallim: “Unë ftoj të gjithë që së bashku t’u japim një mesazh personave të atakuar me kancer të gjirit, e që janë në trajtim e sipër në Onkologji, që ne solidarizohemi dhe i përkrahim.”
Për t’u bërë pjesë e kësaj gare, e tëra që duhet të bëni është që të regjistroheni dhe të krijoni një ekip me miqtë, familjen apo kolegët tuaj dhe të zgjidhni vetë ecjen ose vrapimin në lagjen tuaj, në natyrë apo sallë sportive.